Shijoje.at.ua: Lajmet e fundit, Video Shqip, Humor
[ Mesazhe të reja · Anëtarët · Rregullat e Forumit · Kerko · RSS · Rregjistrohu ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum Shijoje » Art & Kultur » Kushtetuta Shqiptare » PJESA E PARË: PARIME THEMELORE (Shqipëria është republikë parlamentare.)
PJESA E PARË: PARIME THEMELORE
shijojeData: e diel, 2013-01-13, 0:23 AM | Mesazhe # 1
lixi
Group: Administrators
Mesazhe: 216
Awards: 0
Reputation: 10
Status: 10 Jo Ne Linje
PJESA E PARË: PARIME THEMELORE
Neni 1 1. Shqipëria është republikë parlamentare. 2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm. 3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Neni 2 1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. 3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtarë, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Neni 3 Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. Neni 4 1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. 3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Neni 5 Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të. Neni 6 Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe. Neni 7 Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Neni 8 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. 3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare. Neni 9 1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike. 2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit. 3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. Neni 10 1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. 3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. 4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. 5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. 6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cënohen interesat e të tretëve. Neni 11 1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. 2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj. 3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike. Neni 12 1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues. 2. Forcat e armatosura ruajnë asnjanësinë në çështjet politike dhe i nënshtrohen kontrollit civil. 3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Neni 13 Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. Neni 14 1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja. 2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. 3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut. 4. Himni kombëtar është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”. 5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori. 6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është Tirana.


WebMasT3R
 
shijojeData: e diel, 2013-01-13, 0:23 AM | Mesazhe # 2
lixi
Group: Administrators
Mesazhe: 216
Awards: 0
Reputation: 10
Status: 10 Jo Ne Linje
7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj. Neni 15 1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. 2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre. Neni 16 1. Të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara. 2. Të drejtat dhe liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara ne Kushtetutë vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa përputhen me qëllimet e përgjithshme të këtyre personave dhe me thelbin e këtyre të drejtave, lirive dhe detyrimeve. Neni 17 1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Neni 18 1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. 2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore. 3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive. Neni 19 1. Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj. 2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj. Neni 20 1. Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre. 2. Ata kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Ata kanë të drejtë t’i ruajnë e zhvillojnë ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre.

WebMasT3R
 
Forum Shijoje » Art & Kultur » Kushtetuta Shqiptare » PJESA E PARË: PARIME THEMELORE (Shqipëria është republikë parlamentare.)
  • Page 1 of 1
  • 1
Search: