Entry description:
Zhdukja e monumenteve të rralla të kulturës dhe neglizhenca totale e autoriteteve për ruajtjen e tyre u trajtua nga reportazhi i "Stand Up", gjatë edicionit qëndror të lajmeve.Kudo në Shqipëri, kultura e shkatërrimit është kthyer në një mënyrë jetese, e cila e bashkuar me neglizhencën, harresën dhe korrupsionin, po shuan në menyrë të pakthyeshme simbolet më të rëndësishme historike në vend.Edhe ne Fier, si kudo, monumentet e kultures të konsideruara si thesare të historisë së kombit kanë marrë rrugën e pakthyeshme të zhdukjes. Me këtë ritëm, prej tyre shumë shpejt do të mbeten vetëm pak rreshta ndër libra e enciklopedi.Ndalesa e parë e kamerave tona ishte Kurjani, fshati në hyrje të të cilit gjendet kisha mesjetare e Shën Nikollës, e ngritur me një stil bizantin diku rreth fund shekullit të XIII dhe fillimit të shekullit të XIV .Kisha e Kurjanit gëzon statusin monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1963 dhe konsiderohet si një urë lidhëse mes qytetërimit mesjetar dhe atij bashkëkohor.Megjithatë, përtej historisë dhe vlerave shekullore që mbart mbi shpinë, kisha sot ofron një realitet të zymtë e të dërrmuar nga braktisja.Nga afresket e punuara prej djalit të piktorit të madh Onufri, nuk ka mbetur thuajse asgjë. Gjithçka eshte dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet në mënyrë brutale. Pllakat e gdhendura janë thyer, ndërsa dyshemeja është germuar në çdo cep të saj nga njerëz të vënë në kërkim të thesareve të fshehura.Udhëtimi nga kisha e Shën Nikollës në Kurjan drejt kishës së Shën e Premtes pranë fshatit Sop është sfidues, si pasojë e mungesës së tabelave orientuese. Në mbërritje, pamja që të ofrohet është veçanërisht zhgënjyese, me kishën e shekullit XIII që është shndërruar e gjitha në një rënojë.Objekti i ndërtuar 800 vjet më parë me gurë të Apollonisë antike është duke u shuar i gjithi. Muret e krrusur nga harresa po bien me shpejtësi në peshën e tyre.Një tjetër objekt unik është diga 2 mijë vjeçare e Krapsit, pranë fshatit me të njëjtin emër. Ajo mendohet të jetë ndërtuar mbi lumin Gjanicë gjatë dinastisë romake të antoninëve.Sipas studiuesve dhe historianëve, në llojin e saj ajo është më e lashta në të gjithë territorin e vendit. Fatkeqësisht, nga diga dikur 90 metra e gjatë dhe 8 metra e lartë kanë mbetur vetëm një pirg gurësh të mbuluar nga bimësia dhe ferrat.Gurët e digës që dikur shërbente për vaditjen e tre qyteteve të lashta, Apolonisë, Margëlliçit dhe Gurëzezës, mund t'i gjesh sot të shperndarë ndër themelet e shtëpive të reja të ndërtuara në vitet e paskomunizmit. 20 shekuj u zhdukën në 20 vjet.Pikërisht në këtë zonë, në fshatin Plyk, ndodheshin edhe themelet e një vile fshatare të kohës romake që me shumë gjasa, sipas studiuesve ka qenë një latifund, pra një pronë me përmasa toke shumë të mëdha, edhe kjo e zhdukur pa meshirë nga banoret e zonës.Fshati Strum, diku në të djathtë të rrugës nacionale Fier--Berat, ka në të një perlë të rrallë, kishën e Shën Gjergjit, të ndërtuar në vitin 1782. Pavarësisht se ajo është shumë më e re, fati i saj nuk është i ndryshëm.Kisha që ka më shumë se 50 vjet me statusin monument kulture është kthyer në një plevicë. Muret kanë nisur të çahen, ndërsa dritaret janë mbuluar nga ferrat, që tashmë kanë hedhur degë edhe brenda saj.Muret e çjerre, shkarravitur, pllakat e shkulura, pluhuri e dheu qe kane mbuluar gjithçka i kanë dhënë kishës një pamje të shkalafitur e të mjeruar.Afresket e piktuara nga mjeshtërit e familjes ikonografike Çetiri, janë te gjitha te demtuara, ndërsa pjesa tjeter është kthyer në fole për merimangat e lakuriqet e nates.E njëjtë është gjendja edhe në shtëpinë e Longarëve, një ndërtese dy-katëshe, monument etnografik i rrallë në qytetin e Fierit, monument kulture që prej vitit 1963.Për të mos përmendur kalanë e Margëlliçit e dhjetëra e dhjetëra monumenteve të tjera që dergjen sot në grahmat e fundit te tyre.Një histori që po zhduket, që po shpërbëhet duke u mbuluar me pluhurin e harreses e shpërfilljes. E me këtë ritëm, shumë shpejt rezultati i dhimbshem do të jetë një komb që perveç premtimeve të politikes, inflacionit të deklaratave, fondeve që zhduken e projekteve që zënë pluhur në arkiva, nuk do të ketë më asgjë tjetër për të kujtuar.